Pas shtrirjes së tubacionit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm për një pjesë të lagjes nr 1 të qytetit të Durrësit, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka nisur punën për të bërë të njëjtën gjë në krahun tjetër të rrugës “Taulantia”, në mënyrë që të krijohet sistemi unazë për furnizimin e zonës me ujë të pijshëm. Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë në sasi dhe cilësi. Akualisht zona në fjalë furnizohet me ujë të pijshëm nga një linjë e përbërë nga tubacion çeliku me diametër 100 mm dhe banorët kanë shprehur shpesh ankesa për ndotje të ujit dhe mungesë të tij.
Me fonde të vetë ndërmarrjes po mundësohet vendosja e tubacioneve 140 mm dhe 160 mm në secilin nga trotuaret e rrugës “Taulantia”, duke filluar nga muzeu arkeologjik deri tek “Aragosta”. Disa muaj më parë ndërmarrja e ujësjellësit ka përfunduar shtrirjen e tubacionit në krahun e djathtë të rrugës “Taulantia” dhe tani pritet të përfundojë i gjithë investimi që parashikon shtimin e numrit të popullsisë dhe bizneseve të shumta që gjenden në lagjen nr 1.
Inxhinieri i Ujësjellës Kanalizime Durrës Gerald Dautaj tha se me këtë investim modest ne përmirësojmë ndjeshëm furnizimin me ujë të lagjes nr 1 dhe sistemi unazë mundëson dërgimin e ujit me presion edhe në ato pjesë të kësaj zone që kanë pasur probleme në të kaluarën. Paralelisht me shtrimin e tubacioneve të reja, punonjësit e mirëmbajtjes së linjës pranë UKD-së po heqin linjat e vjetra duke i shkëputur ato nga rrjeti i furnizimit me ujë për zonën e Vollgës





