Një grup shqiptarësh dhe italianësh janë arrestuar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, për shpërndarje kokaine dhe marijuane.

Në kuadër të operacionit “Amico Mio Atto II” (Miku im, Akti II), që u zhvillua në krahinat e Pavias, Milanos dhe Bolonjas, ranë në pranga 9 italianë dhe 5 shqiptarë, pas një hetimi prej më shumë se 9 muajsh.

Shqiptarët e arrestuar janë 38-vjeçari B.L., banues në Voghera, 40-vjeçari L.D., banues në Pietra de’ Giorgi, 28-vjeçari R.E., banues në Pavia, 43-vjeçari H.A., banues në Voghera dhe 46-vjeçari M.H., banues në Canneto Pavese.
 
Ndaj dy të fundit u vendos masa e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa ndaj tre të tjerëve u vendos masa arrest me burg pa afat.

Sipas hetimeve, droga vinte nga jashtë Italisë dhe furnizuesit ishin shqiptarë, por nuk është specifikuar se Shqipëria ishte origjina e lëndëve narkotike.

Aktiviteti kryhej në një bar në Belgioioso, Pavia. Mediat italiane shkruajnë se lënda narkotike zakonisht shkëmbehej në Broni. Blerësit dhe furnizuesit shkëmbenin çanta nga një automjet në tjetrin.

Nga ky grup, janë arrestuar gjatë muajit dhjetor edhe 7 persona të tjerë, si dhe janë sekuestruar 10,447 kg marijuanë, 220 gramë kokainë dhe 103 gramë marijuanë.