Kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon nga vartësit e tij të kenë kujdes me masat që kërkojnë në gjykata për të ndaluarit. Sipas tij, duhet të zbatohet parimi i proporcionalitetit në kërkesat drejtuar gjykatës për aplikimin e masave të sigurisë “arrest në burg”. “Duhet të jeni të kujdesshëm në aplikimin e masave ekstreme të sigurisë”, thekson Llalla në një qarkore të shpërndarë tek prokurorët.
Arsyeja kryesisht qëndron tek numri i lartë i personave në ambjentet e paraburgimit vijon të krijojë një situatë shqetësuese, e cila i është përcjellë Prokurorisë edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve rezulton se në sistemin e burgjeve, për periudhën Janar – Dhjetor 2015, janë trajtuar 2962 të paraburgosur.
Po ashtu, referuar statistikave të vitit 2015, Prokuroria e Përgjithshme konstaton se është e nevojshme rritja e numrit të hetimeve kryesisht. Në Qarkore theksohet se “pavarësisht diskrecionit që ligji i njeh prokurorit, numri i rasteve të filluara kryesisht nga prokurorët është sërish i ulët”. Nisur nga numri i ulët i referimeve të dorëzuara në Prokurori nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, Prokuroria e Përgjithshme kërkon rritjen e numrit të hetimeve, sidomos për çështjet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Gjithashtu, në Qarkore, Prokuroria e Përgjithshme kërkon impenjimin e trupës së prokurorëve për të aplikuar më shpesh gjykimin e drejtëpërdrejtë. Ky lloj gjykimi i posaçëm është i lidhur me situatat, ku nuk ka nevojë për hetime të tjera dhe fajësia e të pandehurit është e qartë që në aktet paraprake.





