Nxënësit do të kenë në shkolla dhe mësime feje. Projektin e afërt e bëri të njohur dje kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë fjalës në ceremoninë e Komunitetit Mysliman për ditëlindjen e profetit Muhamed. Rama e argumentoi këtë projekt si mënyrë për të mbajtur larg ekstremistët.
“Ky projekt konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës sonë, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm, apo të ekstremizmit me kostum e me kravatë, nëse nuk arrin dot të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe përparimi filozofik e social dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre e tundimeve të mëdha, që joshin dhe kthejnë në viktima fatkeqe të xhihadizmit apo të ekstremizmit politik, vajza e djem që s’kanë fuqinë e brendshme shpirtërore, pikërisht sepse iu mungojnë këto instrumente, për t’u përballur me vështirësitë e jetës”.
Sipas Ramës, ka nisur bashkëpunimi me specialistë nga Lindja dhe Perëndimi dhe shpejt do të zbatohet projekti në disa shkolla, në qytete dhe fshatra.
Kjo është hera e parë që diskutohet futja e lëndëve fetare në shkolla në Shqipëri, shtet i përcaktuar si laik në Kushtetutë. Deklarata ka hapur debat dhe pritet që të ketë reagime në të ardhmen nga specialistët e arsimit në vend.