Bota e futbollit ka qëndrime të ndryshme që Gianni Infantino të qëndrojë apo të largohet nga FIFA.

Plani i dështuar i shitjes të një pjese të aksioneve të të drejtave tregtare të Kupës së Botës ka sjellë ndasi. UEFA nuk lëkundet nga deklaratat e mëpashme që ka humbur besimin tek Infantino dhe kërkon largimin e tij.

Një nga federatat anëtare, ajo norvegjeze ka kërkuar hapur dorëheqjen e kreut të FIFA me anë të presidentes, Lise Klaveness, një ish-futbolliste që mendon se kjo është mënyra e vetme për t’i bërë sërish bashkë. 

“Nuk ka më kthim pas për Gianni Infantinon, komuniteti ndërkombëtar i futbollit është i përçarë dhe duhet të na jepet mundësia ta bashkojmë sërish. Për këtë arsye, do t’i kërkojmë presidentit të FIFA-s të japë dorëheqjen menjëherë”, tha presidentja e federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness.

Federata të ndryshme përfshi atë Shqiptare kanë tërhequr mbështetjen për kandidimin e Gianni Infantino për një tjetër mandat.

Por ka si Konfederata Afrikane e Futbollit apo federata si ajo argjentinase apo meksikane që janë pranë kreut të FIFA-s. Çështja Infantino është prova më e fortë e viteve të fundit në futbollin botëror.