Ministrja e Mbrojtjes ka urdhëruar hetimin administrativ të rrëzimit të helikopterit në liqenin e Shkodrës që shkaktoi vdekjen e dy pilotëve të Forcave Ajrore, kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha, si dhe plagosjen e ushtarit profesionist Gerald Baramuca.
“Për të ndihmuar procesin e investigimit, Ministria e Mbrojtjes ka thirrur ekspertë të kompanisë prodhuese të helikopterit EC 145, të cilët kanë mbërritur dje në Shqipëri.
Po dje, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA-së kanë mbërritur edhe ekspertë ushtarakë amerikanë me ekspertizë të specializuar të këtij lloj helikopteri.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Ushtarake ka marrë në ruajtje vendngjarjen me qëllim mosdëmtimin e provave”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Të gjitha informacionet që do të dalin nga ky hetim administrativ do t’i vihen hap pas hapi në dispozicion prokurorisë.
Po kështu, me urdhër të Shefit të Shtabit gjeneralmajor Jeronim Bazo është ngritur një grup pune, i cili është vënë në dispozicion të prokurorisë me qëllim koordinimin e të gjithë veprimeve në zonën e ngjarjes, si dhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit dhe provave materiale që do ndihmojnë në hetimin penal.





