Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së Adrian Çela inauguruan përfundimin e ndërtimit të rrjetit të ri 20 kV në zonën e ish-Nisherakut në Tiranë.

Investimi prej 600 mijë eurosh përmirëson cilësinë e furnizimit për 15 mijë abonentë ndërsa prek një zonë të rëndësishme që shtrihet nga Selita, një pjesë e Komunës së Parisit, zona rreth Vasil Shantos, Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe zona e ish-Nisherakut.

Në këtë linjë, Gjiknuri deklaroi se nga verifikimet e fundit të OSHEE-së, rezulton se janë 690 biznese që kanë thyer aktmarrëveshjet e nënshkruara me kompaninë për pagesën me këste të borxheve të prapambetura mbi 1.5 milion lekë të rinj.

Sipas tij, këto biznese e kanë shkëputur në mënyrë të njëanshme këtë marrëdhënie dhe ndaj tyre do të fillohet me procedurat, ku nuk përfshihet vetëm ndërprerja e energjisë elektrike, por deri te vendosja e barrës hipotekore, e cila ndalon transferimin e pronësisë pa likuiduar detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

Bizneset do të kenë afat 5 ditë kohë nga njoftimi për të rilidhur kontratën dhe të vazhdojnë me këstet e lehtësirat që janë krijuar nga aktmarrëveshja. Përndryshe do të penalizohen në mënyrë të menjëhershme, nënvizoi Gjiknuri.