Gazetari Artan Hoxha bëri një deklaratë të bujshme në emisionin e “Të pa Ekspozuarit” dje në mbrëmje, duke thënë se janë grabitur vilat e një ministri dhe ish-ministri. Sipas Hoxhës, është grabitur dhe një kasafortë me plot 500 mijë euro. Të gjitha këto raste, të cilat janë kryer 6 muajt e fundit, janë bërë nga grupe kriminale, ndërsa vetë të dëmtuarit e kanë mohuar ngjarjen para policisë.
“Unë përmenda katër raste. Parajsa fiskale kemi edhe këtu. Njëri është ish-ministër, rasti tjetër është ministër i mazhorancës aktuale, rasti tjetër është një funksionare e lartë, që iu grabit kasaforta me rreth 500 mijë euro. Çfarë ndodh? Policia ka informacion.
Rasti i ministrit që e kanë grabitur, policia e ka marrë vesh në rrugë operative nga informatorët e vet që është grabitur shtëpia e ministrit. Inspektori i zonës dhe oficeri gjyqësor i kanë shkuar ministrit duke i thënë se kemi informacion se është grabitur shtëpia juaj. Ministri ka thënë: Jo mua nuk më kanë grabitur!”, deklaroi gazetari investigativ Hoxha.
“Policia i thotë se ne kemi informacione të sakta. Unë shpresoj se hetimi të bëhet dhe të merret vesh shifra reale e grabitjes. Ata kanë goditur dhe kanë marrë para cash dhe problemi për policinë për të hetuar këto çështje është se ka hasur në kundërshtimin e funksionarëve që kanë thënë: Unë nuk jam grabitur”, theksoi gazetari.





