Vijon rënia e të ardhurave, 4 milionë Euro më pak mblidhen nga bashkia në 2015-n. Të ardhurat nga gjobat ndaj biznesit 118% më shumë se plani.
Shkëlqim Fortuzi, përfaqësues i PD-së, anëtar i Këshillit Bashkiak, i ka bërë një analizë rënies së të ardhurave në buxhetin faktik të bashkisë për vitin e shkuar, dërguar portalit “DurrësLajm”
Nga Shkëlqim Fortuzi
Nga të dhënat e paraqitura nga Bashkia Durrës, në lidhje me buxhetin faktik të vitit 2015, rezulton se të ardhurat faktike të vetat, janë realizuar në masën 83%, kundrejt planit, duke krijuar një deficit buxhetor prej 214 milionë lekësh, ose rreth 1.6 milionë Euro, shumë e cila do te kishte zgjidhur përfundimisht problemet e sistemimit të ujërave te zeza dhe problemet e kullimit, në të gjithë territorin e bashkisë, ose do të ishin ndërtuar 4 shkolla të reja.
Bazuar ne mundësitë potenciale që mbart territori i bashkisë tonë, të cilat nuk janë marrë në konsideratë në planifikim, sipas llogaritjeve të përafërta, paratë që i mungojnë buxhetit të vitit 2015, janë mbi 4 milionë Euro.
Me poshtë po analizojmë mosrealizimin sipas të ardhurave:
Të ardhurat tatimore janë me mosrealizim për 109 milionë lekë, ose 11% më pak se plani.
Ajo që bie ne sy është fakti se, të ardhurat tatimore gjithsej të realizuara në vitin 2015, janë rreth 753 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2012 ( vit në të cilin taksa e ndërtesës, që zë peshën kryesore në të ardhurat tatimore ishte rreth 4 herë më e ulët se në vitin 2015) të ardhurat tatimore janë realizuar rreth 929 milionë.
Pra të ardhurat faktike të vitit 2015, janë 176 milionë lekë, ose 19% më të ulëta se viti 2012 edhe pse, me ardhjen në pushtet të PS-së në vitin 2013, këto taksa janë 2-fishuar.
Nëse do t’i shtonim kësaj diference edhe efektin e rritjes së numrit të bizneseve taksa-paguese, prej rreth 3 mijë biznese me shumë, kjo shifër arrin mbi 350 milionë lekë, afërsisht 2.5 milionë Euro më pak se viti 2012 ose rreth 38 % më pak.
Edhe të ardhurat jo tatimore krahasuar me planin janë me mosrealizim 30%, ose nga 409 milionë lekë të planifikuara, janë arkëtuar rreth 286 milionë lekë, duke krijuar një deficit prej 123 milionë lekësh.
Taksa e tabelës për qëllime reklame.
Nga kjo taksë janë arkëtuar gjithsej 2.6 milionë lekë nga 5 milionë të planifikuara, pra ka një mosrealizim prej 49% kundrejt planit.
Nëse do t’i referohemi përllogaritjeve, na rezulton se kjo taksë është vjelë vetëm për 114 m2 tabela gjithsej, në tërë territorin e bashkisë Durrës, ndërkohe që në Durrës, sipërfaqja e këtyre tabelave është me mijëra metra katror.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ku përfshihen edhe të ardhurat nga ALUIZNI.
Kjo taksë ka një mosrealizim prej 39% kundrejt planit, ose rreth 78 milionë lekë më pak. Ndërkohë që trumbetohet me të madhe se procesi i legalizimeve, po ecën me hapa gjigante.
Taksa e fjetjes në hotele
Nga kjo taksë janë arkëtuar gjithsej rreth 6 milionë lekë dhe sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se kanë fjetur në Durrës për vitin 2015 gjithsej rreth 17 mijë persona, ose mesatarisht 47 persona në natë.
Faktet tregojnë se vetëm në një hotel me emër në qytetin e Durrësit, janë akomoduar gjatë gjithë vitit mbi 30 persona në natë.
Kjo tregon se në territorin e bashkisë tonë, nga 220 hotele dhe motele, me kapacitet mbi 4 mijë shtretër, nuk arkëtohet asnjë qindarkë në buxhetin e bashkisë, pa llogaritur këtu apartamentet që jepen me qira, që janë me mijëra.
Vetëm në periudhën e verës, sipas përllogaritjeve të bëra duhet të arkëtohen mbi 50 milionë lekë nga këto hotele.
Tarifa e gjelbërimit nga familjarët
Kjo tarifë rezulton me mosrealizim prej 78 % ose rreth 9 milionë më pak se planifikimi.
Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave
Nga biznesi është realizuar 6 % me pak se plani, ose janë arkëtuar rreth 5 milionë lekë më pak, ndërsa nga popullata, kjo taksë është me mosrealizim 80% me pak se plani, ose janë arkëtuar 87 milionë lekë më pak.
Tarifa e plazheve private
Nga kjo tarifë kemi një mosrealizim prej 63 % me pak se plani, ose janë arkëtuar 9 milionë lekë më pak se plani, madje kemi një rënie të arkëtimeve edhe kundrejt vitit 2014, prej 10 milionë lekësh më pak.
Nëse i referohemi sipërfaqeve faktike të plazheve private, kjo shifër duhet të jetë mbi 50 milionë lekë në vit.
Tarifa e ndriçimit
Nga popullata,kjo tarifë është arkëtuar 80 % me pak se plani, ose janë arkëtuar rreth 24 milionë lekë më pak.
I vetmi zë të ardhurash me të cilin “krenohet” kryetari i baskisë për “tejkalim” mbi planin janë të ardhurat nga gjobat, të cilat nga 12 milionë lekë të planifikuara, janë realizuar në shumën 25.6 milionë ose rreth 118% më shumë se plani, fakt ky që tregon se paaftësinë e administratës së bashkise, për të mbledhur tatimet dhe taksat, duhet ta paguajnë qytetarët dhe bizneset nëpërmjet gjobave të majme.
Nga sa analizova me lart, treguesit faktikë buxhetorë, të realizuar gjatë vitit 2015, janë vërtet shumë shqetësues ç’ka tregojnë qartazi se ka një përkeqësim të arkëtimit të të ardhurave, si kundrejt planit, ashtu edhe kundrejt vitit të mëparshëm.
Analiza e zërave të shpenzimeve
Në lidhje me shpenzimet bie ne sy fakti se ka mosrealizime te theksuara, në drejtim të shpenzimeve kapitale, për rrugë, për shërbime publike, për arsimin parauniversitar, për turizmin, për sportin, për shërbimin social dhe për strehimin social.
Madje në disa zëra, këto shpenzime janë edhe më të pakta se viti 2014, siç janë:
Programi i shërbimeve publike,nga 88.995 mijë të realizuara në vitin 2014, në vitin 2015 janë realizuar 64.605 mijë lekë, ose 27% më pak se viti 2014.
Programi i strehimit social, nga 100.000 mijë lekë të realizuara në vitin 2014, për vitin 2015 janë realizuar vetëm 13.780 mijë lekë, ose 86% më pak se viti 2014.
Me mosrealizim kundrejt planifikimit rezultojnë:
Shpenzimet kapitale, nga 1.826.000 mijë të planifikuara, janë realizuar 1.167.000 mijë ose janë realizuar 36% më pak se plani.
Programi i infrastrukturës rrugore, nga 1.625.436 mijë lekë të planifikuara, janë realizuar 1.109.216 mijë lekë, ose 32% më pak se plani.
Programi i shërbimit publik, nga 576.903 mijë lekë të planifikuara, janë realizuar 499.455 mije lekë, ose 14% më pak se plani.
Programi i turizmit dhe kulturës, nga 60.888 mijë lekë të planifikuara janë realizuar 57.568 mijë lekë, ose 5.5% më pak se plani.
Programi i sportit, nga 61.466 lekë të planifikuara, janë realizuar 54.922 lekë, ose 11% më pak se plani.
Programi i arsimit parauniversitar, nga 100.041 mijë lekë të planifikuara, janë realizuar 82.780 mijë ose 18% më pak se plani.
Programi i shërbimit social, nga 80.095 mijë lekë të planifikuara, janë realizuar 73.485 mijë lekë, ose 8.3% më pak se plani.
Rekordin e mosrealizimit e mban programi i strehimit social, nga ku 118.419 mijë lekë të planifikuara, janë realizuar 21.521 mije lekë, ose 82% më pak se plani.
Sipas analizës së bërë, mosrealizimi i shpenzimeve kapitale, ka ardhur si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore, nga ana e bashkisë Durrës.
Siç shihet qartë, bazuar në shifrat dhe faktet e mësipërme, buxhetit faktik i vitit 2015 dëshmon se Bashkia e Durrësit dhe kryetari i saj, me paaftësinë apo keqmenaxhimin, kanë humbur misionin ligjor, kanë humbur përgjegjësinë publike ndaj qytetarëve durrsakë dhe po e çojnë Durrësin drejt rrënimit total, drejt mungesës së shërbimeve, mungesës së rrugëve, mungesës së higjienës, mungesës së strehimit.
Qytetarët durrsakë dhe ne si përfaqësues të tyre, kërkojmë një përgjigje nga kryetari i bashkisë dhe pyetja është:
Zoti kryetar!
Ku kanë përfunduar këto para që i mungojnë këtij buxheti (1.5 milionë Euro më pak se plani dhe rreth 4 milionë Euro më pak se mundësitë potenciale) dhe kush do të përgjigjet për këto?!
Zoti kryetar!
Kur do të filloni te mendoni për zgjidhjen e halleve dhe problemeve imediate të qytetarëve si: rregullimin e infrastrukturës rrugore, heqjen e mbeturinave, kanalizimet e ujërave të zeza, rregullimin e kopshteve, çerdheve, krijimin e lulishteve, këndeve të lojërave për fëmijët, ambientet çlodhëse për të moshuarit, normalizimin e trafikut në qytet etj.





