Nga Osman Metalla
Porti i Durrësit humbet terren në indeksin global të performancës portuale.
Pak ditë më parë u publikua Container Port Performance Index (CPPI), indeksi global i performancës së porteve të kontejnerëve, hartuar nga Banka Botërore dhe S&P Global Market Intelligence. Ky është një nga raportet më të rëndësishme ndërkombëtare për vlerësimin e efikasitetit të porteve.
CPPI nuk mat sa kontejnerë përpunon një port, por sa shpejt dhe sa me efikasitet i shërben anijeve. Ai bazohet kryesisht në kohën që një anije kalon në port: nga mbërritja deri në largim. Sa më e shkurtër të jetë pritja në radë, sa më i shpejtë të jetë përpunimi në kalatë dhe sa më i lartë rendimenti operacional, aq më i mirë është vlerësimi i portit.
Raporti i fundit evidenton një përkeqësim të dukshëm të performancës së Portit të Durrësit. Nga 94 prekje te anijeve ne kete port të analizuara, të dhënat tregojnë se indeksi CPPI i portit ka rënë ndjeshëm. Krahasuar me mesataren e porteve të rajonit, performanca rezulton 8.1% më e ulët, ndërsa në renditjen globale Porti i Durrësit ka zbritur nga vendi i 275-të në raportin e vitit 2024, në vendin e 323-të në raportin më të fundit – një rënie prej 48 pozicionesh.
Edhe më shqetësues është fakti se kjo nuk është një dukuri e izoluar. Që nga viti 2021, treguesit e CPPI për Portin e Durrësit kanë ndjekur një prirje të vazhdueshme rënëse. Ky është pikërisht viti kur u shpall projekti i Marinës së Durrësit dhe u njoftua se aktiviteti tregtar do të transferohej në Porto Romano.
Premtimi ishte i qartë: paralelisht me zhvillimin e marinës do të ndërtoheshin edhe kapacitetet e reja portuale në Porto Romano. Megjithatë, pas disa procedurave të pasuksesshme tenderuese, sektori portual vazhdon të mbetet në një situatë të paqartë.
Sot Porti i Durrësit ndodhet në një udhëkryq.
Nga njëra anë, infrastruktura dhe pajisjet e përpunimit janë të amortizuara, me defekte të shpeshta dhe vështirësi në sigurimin e pjesëve të këmbimit. Si pasojë, rritet koha e pritjes së anijeve në radë dhe në kalatë, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e performancës.
Nga ana tjetër, pasiguria për të ardhmen e portit ka frenuar investimet që do të ishin të domosdoshme për modernizimin e tij.
Kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm në konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, kostot e transportit, besueshmërinë e zinxhirit logjistik dhe aftësinë e vendit për të tërhequr investime.
Nëse kjo prirje vazhdon, ekziston rreziku që operatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë të orientojnë aktivitetin e tyre drejt porteve të tjera të rajonit, të cilat ofrojnë shërbim më të shpejtë dhe më të parashikueshëm.
Portet nuk konkurrojnë më vetëm me thellësinë e baseneve apo gjatësinë e kalatave. Sot ato konkurrojnë me efikasitetin. Çdo orë vonesë kushton. Çdo vend i humbur në CPPI është një sinjal që nuk duhet të injorohet.
Vendi ka nevojë për një strategji të qartë, investime të menjëhershme dhe vendimmarrje të qëndrueshme për sektorin portual. Ndërtimi i një terminali kontejnerësh eshte urgjencë!





