Me rastin e 77-vjetorit të Rezistencës Antifashiste, Durrësi ka nderuar me madhështi të rënët e 7 Prillit. Në Torrën simbolike të kësaj rezistence, u zhvillua një ceremoni përkujtimore, e kthyer në traditë, ku u vendosën kurora me lule në përkujtim të veprës së rreshterit të Marinës shqiptare Mujo Ulqinakut, i cili së bashku me një grup të vogël patriotësh i rezistuan pushtuesve.
Fjala e rastit u mbajt nga Adrian Gurra, drejtori i Kulturës në bashki, i cili përcolli mesazhin se “vepra e këtyre dëshmorëve do të jetë e pavdekshme në breza”.
Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë edhe krerë të tjerë vendorë, përfaqësues të forcave politike, veteranë si dhe shumë qytetarë të thjeshtë. Patriotët durrsakë me armë në dorë, kundërshtuan pushtimin fashist, që në atë kohë ishte fuqia më e madhe ushtarake e Botës.
K.H.