Ish-ministrja e jashtme kroate Vesna Pusic ka njoftuar sot edhe zyrtarisht kandidaturën e saj për funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sekretari i ri i përgjithshëm i OKB do të emërohet në fund të këtij viti nga Asambleja e Përgjithshme, me propozimin e Këshillit të Sigurimit.
Pusic e njoftoi sot zyrtarisht kandidaturën e saj. Në gusht të vitit të kaluar, gazeta prestigjioze amerikane "New York Times" shkroi se ka ardhur koha që në krye të OKB të vendoset një femër, ndërsa si kandidate të mundshme ka përmendur Federica Mogherini, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, dhe Christine Lagarde, drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Vendimin për kandidaturën e Pusic, qeveria kroate e kishte marrë që në muajin shtator të vitit të kaluar, ndërkohë që në muajin nëntor u krye edhe dorëzimi zyrtar i kandidaturës së saj nga kryeministri kroat në atë kohë Zoran Milanovic. Por, për shkak të disa rregullave dhe kushteve që OKB aplikon, vetë ish-ministrja e jashtme kroate Pusic vetëm sot mund ta bënte publike kandidaturën e saj.