Turqia ofron 14 milionë dollarë për 23 pjesëtarë të Shtetit Islamik, që dyshohet se kanë organizuar sulme terroriste në këtë vend. Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Brendshme e Turqisë.

Ministria e Brendshme ka publikuar emrat dhe fotot e të dyshuarve si organizatorë dhe autorë të bombave që kanë shpërthyer në Ankara, Stamboll, Suruc, etj. Ata dyshohet se janë të gjithë militantë të Shtetit Islamik dhe pjesa më e madhe janë me origjinë turke.

Në majë të listës qëndrojnë Ilhami Bali, Mustafa Dokumaci dhe Yunus Durmas. Për secilin ofrohet shuma prej 1,4 milionë dollarë në rast se informacionet e dhëna do të mundësojnë arrestimin e tyre. Ndërkohë, 20 të tjerët konsiderohen më pak të rëndësishëm. Mes të kërkuarve, për kokën e të cilëve ofrohet shpërblim, janë edhe pesë gra.