Letër nga Vaso Papaj, drejtuar kryetarit të Këshillit të Qarkut Durrës, Alfred Mullaraj
Zgjodha këtë herë ta shoqëroj letrën time me një foto të harruar diku në fototekën e shtëpisë dhe që e gjeta rastësisht. (Nuk do të çuditesh po të të them se në atë kohë isha i diplomuar në Shkencat e Natyrës për matematikë) Të siguroj, që nuk e di kush ka qenë fotografi dhe se kjo foto nuk ka qenë menduar të ekspozohej dikur në një tabelë emulacioni. Në tabelë, edhe atëherë si tani, përfundonin njerëzit e Partisë.
E bëra këtë për të treguar sesi paraardhësi yt i parë i pas viteve 90-të, s’vinte nga radhët e përkëdhelura nga pushteti, apo nga skutat që të joshnin, qoftë edhe për një vend pune në profesion, kundrejt një shërbimi të fshehtë e të ligë që e quanin shërbim partie. Unë vija, siç e sheh, nga një provë e madhe e qenësishme integriteti moral, që demonstron sfidën dhe neverinë kundrejt një regjimi tashmë të diskredituar, të një pushteti të papërgjegjshëm, që me të tilla vendime, madje edhe shumë më të rënda, të cilësuara nga standardet e sotme europiane si krime, e shpuri vendin dhe popullin në zgripin e ekzistencës, në litarët e anijeve, kush e kush ta braktisë këtë vend të pajetueshëm.
I shkrova këto rreshta për të treguar, se edhe ti, si pasardhës i atij pushteti, nuk ke nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara dhe vazhdon me këmbëngulje dhe ndërgjegje të plotë luftën e mallkuar të klasave edhe në brezin e katërt. Nuk e shpjegoj ndryshe sjelljen tënde ndaj një punonjësi të Qarkut në dhjetorin e vitit 2013 që fatkeqësisht ishte djali im.
Po e mbyll me kaq pjesën e parë të letrës, për të hyrë në qëllimin e vërtetë të saj. Pa dashur të përsëris historinë e këtyre viteve të fundit, që do të mbetet një faqe e zezë në historinë e qytetit tim, por edhe më gjerë, ku njerëz të ardhur nga pedana e doganave kapën majat e pushtetit duke treguar papërgjegjshmëri maksimale me vendimet e tyre antiligjore, duke pushuar nga puna të rinj të shkolluar në Perëndim e duke i zëvendësuar me prodhime shoqërore dhe fisnore me efektivitet rrënues, po vazhdoj si më poshtë:
Së pari desha të të falënderoj hapur, pas kaq kohësh, si baba, që më pushuat djalin nga puna, sepse kështu i dhatë mundësi të shkëputet një herë e mirë nga pasojat e një mentaliteti mesjetar që po e rrënon administratën shtetërore edhe tani në 2016-n, me pasigurinë që ndjen çdo katër vjet apo edhe tetë, kur ndërrohen pushtetet, duke i mbushur radhët e saj me njerëz militantë, të paaftë, me arsimim të dyshimtë (dihen tashmë historitë e diplomave të blera.)
Së dyti, edhe t’ju akuzoj, si qytetar i këtij vendi dhe i këtij qyteti për vendimin tuaj të nxjerrë nga bodrumet e errëta të partisë legjendare që nën tutelën edhe të fqinjëve, që kurrë nuk e kanë dashur një Shqipëri moderne, të mirëqeverisur, zhduku atë pak inteligjencë të shkolluar në Perëndim dhe e mbushi administratën e të gjitha niveleve me kovaçë, teneqexhinj, shoferë, elektricistë, barinj, lopçarë, njerëz gjoja të pajisur me ideologji nëpër shkollat e Partisë. Rezultati dihet tashmë. Çuditërisht historia u përsëritka dhe, kush vepron tani po kështu, kthehet në një robot tragjik, por edhe komik njëkohësisht.
Tani po vij në thelbin e çështjes: Pas një periudhe prej më shumë se një viti, duke parë se ti s’ke bërë asnjë përçapje për të zbatuar vendimin e formës së prerë të drejtësisë, që detyron rimbursimin e pagave të humbura, kërkoj marrjen e të gjitha masave për ta mbyllur (zbatuar) detyrimin ligjor. (Kemi apo s’kemi shtet të së drejtës, dreqi e mori…) Ndryshe, së pari do të ndiqja të gjitha hallkat që parashikon karta e të drejtave të njeriut: do të sensibilizoja Ambasadat e Italisë dhe BE-së, vende ku im bir jo vetëm është diplomuar, por dhe është pajisur me dëshmi shtetërore (provim shteti) si specialist arkitekt dhe urbanist i certifikuar për gjithë Europën veç Shqipërisë(?!?).
Së dyti, do të njoftoja edhe ambasadën e SHBA-së, garante e mirëqeverisjes, e respektimit të shtetit ligjor dhe e kryerjes së reformave jetike për vendin.
Së treti, do ta ndiqja procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut në kërkim të zbatimit të vendimit të formës së prerë të drejtësisë, pra dëmshpërblimin.
Shpresoj ta lexonte këtë letër të hapur kreu i Prokurorisë së Qarkut Durrës, shpresoj gjithashtu të ketë ndjeshmërinë e duhur për të nisur tashmë një hetim lidhur me dëmin financiar që i shkaktohet shtetit si rezultat i këtyre vendimeve absurde, që vijnë si ndikim i luftës rrënuese të klasave që s’paska fund.
Neve pensionistëve, punonjësve të këtij vendi, mësuesve, mjekëve, nëpunësve, buxhetorëve në përgjithësi, s’ka përse të na rendojnë financiarisht vendime të tilla në të ardhmen. Ato duhet të rëndojnë xhepat dhe vetëm xhepat e vendimmarrësve që u shkojnë ndesh ligjeve në fuqi. Edhe një herë kërkoj zbatimin e vendimeve të drejtësisë pa e rënduar çështjen.
Ish-homologu yt, ideatori dhe krijuesi i zyrës dhe i karriges ku je ulur,
Vaso Papaj