Policia kroate ka bërë me dije se natën e mbrëmshme është vjedhur selia e Ministrisë së Punës së Brendshme, në Zagreb. Ndonëse një ngjarje e rrallë dhe e padëgjuar më parë, ajo është shumë e vërtetë. Madje, është vjedhur zyra e shefit të shërbimit të krimit të organizuar dhe jo pak, por plot 280 mijë euro dhe 2 kg ar.
"Mbrëmë është thyer zyra e shefit të shërbimit të krimit të organizuar, Zheljko Dolaçko, në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme … ku autori, apo autorët,kanë vjedhur 280 mijë euro dhe 2 kg ar," – thuhet në reagimin e Policisë së Kroacisë.
Hajdutët thuhet se kanë hyrë në zyrën e Dolaçkos, në katin e dytë të selisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u afruar pranë shkallëve të emergjencës dhe vodhën pasurinë që ndodhej në kasafortën e tij. Mësohet se hetuesit po vijojnë punën e tyre për të zbardhur ngjarjen dhe për të vënë përballë përgjegjësitë autorët e kësaj vjedhje të pabesueshme.





