Shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti e ka kritikuar mënyrën se si u zgjodhën ministrat e ri nga ana e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim. Pak ditë më parë, nisur edhe nga telefonata e përgjuar e dy përfaqësuesve të saj në parlament dhe qeveri, BDI vendosi tërheqjen e ministrave të saj nga qeveria. Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, Ali Ahmeti, kryetari i BDI, njoftoi përfaqësuesit e rinj të BDI në qeveri. Ky vendim i Ali Ahmetit, i cili i tërhoqi dhe zëvëndësoi ministrat e BDI sikur të ishte një vendim i tij personal, ka sjellë reagimin e opozionit publik, por edhe të shkrimtarit dhe analistit Kim Mehmeti.
"Shqiptarëve të Maqedonisë u ndodhi "Sopoti", "Brodeci", "Monstra", likuidimi i Harun Aliut me shokët, rrahja e dhjetëra të rinjve shqiptarë, Nata e Tradhtisë së Madhe në Kumanovë, deshqiptarizimi i Shkupit dhe Maqedonisë…, pra u dhunua privatësia e shumë motrave e nënave shqiptare, të cilat i zgjoi nga gjumi policia e regjimit VMRO-BDI, u prek pra më intimja e shumë familjeve të pambrojtura shqiptare, në shtëpitë e të cilave, po ajo polici, hynte si nëpër vendbanime pa pronarë. Megjithatë, kryetarit të BDI, le që nuk i shkoi ndërmend braktisja e qeverisë, por na quante armiq neve që kritikonim këto veprime të regjimit ku bënte pjesë partia e tij! Dhe tani, kur BDI mbeti pa popull, ai ofron edhe një dëshmi se sa tallës e mospërfillës është ndaj parisë dhe popullit të vet: më lehtë ai i zgjedh dhe i emëron ministrat që do e kenë në duar fatin e popullit, se sa dikur Enveri Hoxha, drejtorët e kooperativave bujqësore, që vendosnin për fatin e bagëtisë së fshatit!" – vlerëson Mehmeti.