Një udhëtar në aeroportin e Fiumiçinos, në Itali, i ka lënë gojëhapur kontrollorët, të cilët kanë hapur çantën e tij të dorës. Udhëtari me shtetësi gjermane është ndaluar në terminal, ku gjatë kontrollit nuk ka shfaqur asnjë shenjë nervozizmi. Madje, krejt natyrshëm, ka nxjerrë nga çanta një kafkë, kur i është thënë të deklarojë se çfarë kishte aty. Jo një riprodhim, por një kafkë të vërtetë njerëzore.
"E kam blerë të përdorur në një tezgë, më duhet për kërkime shkencore," – u ka thënë ai agjentëve të policisë, duke shtuar se ishte pedagog dhe jepte mësim në universitet. I pyetur për më shumë detaje, ai është shprehur se e kishte blerë kafkën për 50 eruo në një tezgë, në zemër të Romës, raportojnë mediat italiane.
Kafka, të cilës i mungonte nofulla e poshtme, është dorëzuar te punonjësit e policisë shkencore, të cilët po bëjnë ekzaminimet që do të përcaktojnë moshën dhe prejardhjen e saj.