Gjobiten tri subjekte që transportonin produkte ushqimore në Durrës, pasi ishin në shkelje të hapur të ligjit për transport të këtyre produkteve.
Drejtoria e AKU-së në Durrës ka ndërmarrë një aksion për të ushtruar masa e kontrolle të mjeteve që transportojnë produkte ushqimore me origjinë shtazore dhe joshtazore.
Konkretisht ndaj stabilimentit të tregtimit dhe të përpunimit të qumështit me emër ligjor Jorgji Mihani, të gjitha produktet që përpunonin dhe tregtonin nuk kishin etiketim dhe ndaj tyre u mor masa me vlerë 100 mijë lekë.
Gjithashtu u krye konfiskimi i një sasie prej 180 litrash qumësht në një makinë transporti që tregtonte qumësht dhe bulmet, pasi produkti nuk ruhej në temperaturën e duhur, shoferi i automjetit nuk ishte i pajisur me librezën shëndetësore dhe vetë subjekti në emër të të cilit transportohej, nuk kishte Nipt apo kod fermeri.
Është sekuestruar gjithashtu, edhe një sasi prej 21 kg mish në një tjetër makinë transporti, pasi nuk kishte dokumentacion të rregullt dhe nuk ishte i regjistruar në organet tatimore.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, AKU bën me dije se vetëm ditën e diel janë kontrolluar 18 automjete që transportonin produkte ushqimore, kryesisht me origjinë shtazore, ndërsa 15 kanë rezultuar brenda parametrave të lejuara.





