Familja e Almir Dacit prej ditës së djeshme ka hapur dyert e mortit pasi kanë marrë lajmin për vrasjen e të të birit që mendohet se është vrarë në Siri.
Një gjë e tillë është e konfirmuar nga familjarët dhe së fundi edhe nga vëllai i tij Genci Daci, i cili bën me dije për “Report Tv”, se lajmin e hidhur e kanë marrë nga bashkëshortja e Almirit që ndodhet në Siri.
“Kërkojmë trupin e vëllait, a ka mundësi shteti ta sjellë. Edhe fëmijët. Po pati mundësi shteti ta bëjë këtë gjë faleminderit”, kërkoi Genci Daci.
Nga ana tjetër, ai ka kërkuar që vëllanë të mos ia quajnë terrorist pasi kjo nuk është e vërtetë sipas tij. Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thonë, asnjë akuzë për terrorist. Shkoni pyesni në fshat, të dëgjoni ç’a thonë, jo prej meje”, u shpreh ai.
Deri dy vite më parë, Almir Daci ishte Imam në një fshat të Pogradecit, ndërsa më pas ishte larguar drejt Sirisë, bashkë me familjen e tij, gruan dhe fëmijët, ku luftonte përkrah shtetit Islamik, ISIS.





