Në fund të vitit 2015, nga skema e ndihmës ekonomike janë nxjerrë 2 067 familje. Instituti i Statistikave raporton se në tremujorin e fundit skema u tkurr me 2.6% kundrejt tremujorit të mëparshëm. Elbasani rezulton qarku me numrin më të madh të familjeve përfituese. Paralelisht me tkurrjen e skemës janë ulur edhe shpenzimet që qeveria bën për ndihmën ekonomike. Gjatë vitit 2015 janë dhënë 4 miliardë lekë më pak.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e fundit të 2015 numri i familjeve që u trajtuan me ndihmë ekonomike arriti në 79 530, duke pësuar një rënie prej 2 067 familje ose me 2.6% kundrejt tremujorit të mëparshëm. Instituti i Statistikave konstaton se Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, me 18.6% të totalit që përfitojnë në shkallë vendi, pasuar nga Dibra, Shkodra dhe Kukësi.
Duke argumentuar se në skemë ka edhe familje që e përfitojnë atë padrejtësisht, qeveria ka përcaktuar edhe disa kritere të tjera shtesë, ku duhet që familjet të mos kenë orendi shtëpiake, si lavatriçe, frigorifer, televizor etj.