Vizita e mjekut okulist apo otorino-laringologut, nëse bëhet për efekt raporti mjekësor për leje drejtimi automjeti apo veprimtarie me armët, duke filluar nga 1 prilli është bërë me pagesë edhe për të siguruarit. Me anë të një urdhri të lëshuar nga ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, që mban datën 29 mars 2016, vizitat tek këto dy mjekë specialistë do të bëhen kundrejt pagesës prej 1 500 lekë për secilën.
Urdhri i ministrit të shëndetësisë është shpërndarë në të gjitha poliklinikat e specialiteteve në kryeqytet dhe në rrethe. Në këtë mënyre, raporti mjekësor, pavarësisht nëse aplikanti është i siguruar, do të kushtojë në total 4 000 lekë. Kjo sepse për të marrë një raport të tillë mjekësor duhet të aplikosh, proces ky që ka një tarifë prej 1 000 lekë, e cila vijon të mbetet në fuqi.
Këto pagesa konsiderohen si tarifa administrative për një shërbim që ofron shteti dhe nuk kanë të bëjnë me sëmundshmërinë apo parandalimin.
Pagesa për vizitën e mjekut okulist dhe otorino-laringolog, si pjesë e raportit mjekësor për leje drejtimi automjeti apo veprimtarie me armët, aplikohet për herë të parë për personat e siguruar.





