Në kuadër të Ditës Botërore të Kafshëve Endacake, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi me qytetarët për mënyrën se si duhet kujdesen dhe sillen ndaj qenve të rrugës. Për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot ambientet e klinikës veterinare të kafshëve, ku mori pjesë në aktivitetin e parë të fushatës, e cila do të zhvillohet paralelisht edhe me procesin e trajtimit të qenve endacakë, duke i sterilizuar, vaksinuar dhe matrikuluar ata.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe fëmijë nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, të cilët pasi morën informacionin e duhur rreth mënyrës se si duhen trajtuar këto kafshë. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se, nisur edhe nga simbolika e Ditës Botërore të Kafshëve Endacake, është e nevojshme që shoqëria të kuptojë se edhe kafshët kanë vendin dhe të drejtat e tyre.
"Ne besojmë se ky është një proces i cili bëhet më i mirë kur njerëzit janë të edukuar dhe të arsimuar. Ne e dimë se kemi shumë njerëz që nuk i njohin kafshët e rrugës dhe mendojnë se janë të rrezikshme, ndërkohë që në pjesën më të madhe, ashtu siç e thanë dhe veterinerët, kafshët janë vetëm të frikësuara. Ne besojmë se në një qytet si Tirana ka vend për të gjithë; ka vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët," – tha Veliaj.





