Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije ditën e djeshme se ka sekuestruar 500 mijë euro të dy shtetasve suedezë, shumë e dyshuar se buron nga aktivitet kriminal i tyre. Të dhënat flasin për një referim në Prokurori, i bërë nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila ka dyshime se shtetasit suedezë O. J. dhe J. N. po pastrojnë para në vendin tonë, para që janë bllokuar në dy llogari bankare.
Sipas burimeve, saktësohet se njëra kishte 300 mijë euro dhe tjetra 200 mijë. Nga veprimet dyshohet se paratë silleshin në Shqipëri nga Finlanda, përmes transaksioneve në Kosovë dhe Serbi. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës ka nisur disa letër-porosi në këto vende, për të parë nëse dy suedezët i justifikojnë këto shuma parash.
Prokuroria ka dyshime se këto para do të riktheheshin në Suedi, pasi do të justifikoheshin me ngritjen e bizneseve fiktive në vendin tonë. Deri në mbërritjen e këtyre informacioneve, shuma prej 500 mijë eurosh do të qëndrojë e bllokuar. Dy shtetasit suedezë mësohet se kanë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë, ku kërkojnë zhbllokimin e llogarive bankare, pasi mendojnë se prokuroria ka vepruar në mënyrë të paligjshme me llogaritë e tyre bankare.





