Fluturimet ndërkombëtare nga aeroporti i Kukësit mund të nisin në fund të vitit. Në një intervistë për “Top Channel”, ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto thotë se operimi i aeroportit mund të jepet me koncesion ose mund të menaxhohet përmes një kompanie publike.

Ky i fundit është opsioni më i mundshëm, por sipas ministrit nevojitet një investim prej rreth 3 milionë eurosh.

Haxhinasto konfirmon se janë dy operatorë low cost, Ryan Air dhe Wizz Air që kanë shprehur interes konkret, madje kanë bërë dhe inspektimin e pistes dhe terminalit.

Ndërsa për aeroportet në jug të Shqipërisë qeveria ka porositur një studim fizibiliteti për të zgjedhur vendin se ku do të ndërtohet terminali dhe pista e parë.