Greqia bëhet vendi i tretë në Ballkan, pas Kroacisë dhe Maqedonisë, që legalizon kanabisin. Madje, ndryshe nga dy të parët, që e bënë të ligjshëm përdorimin e kësaj substance fillimisht për qëllime mjekësore, Greqia e ka rregulluar me ligj kultivimin dhe tregtimin e substancave kanabinoide menjëherë në sektorin industrial, shkruan “Shekulli”.
Marrëveshja e nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtave të Njeriut, Nikolas Paraskevopulos dhe zëvendësministri i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Markos Bolaris, u shpall të enjten nga qeveria greke. Vendimi i përbashkët i dy ministrive parashtron qartë kushtet e kultivimit për përdorim industrial të varieteteve të bimës së kërpit me përmbajtje të substancës tetrahidrokanabinol deri në 0.2 për qind. Marrëveshja e arritur pas një maratone konsultimesh mes grupeve të interesit përcakton plotësisht kuadrin ligjor dhe institucional për kultivimin e këtyre bimëve për qëllime industriale.
Sipas Ministrisë greke të Bujqësisë, për kultivimin e kanabisit do të licencohen menjëherë një numër fermash në të gjithë vendin, të cilat do të certifikohen sipas standardeve të përcaktuara, e në vazhdim do të monitorohen prej ekspertëve të ministrisë dhe ekspertëve të Antidrogës greke. Bimët do të jenë të matrikulluara dhe i gjithë procesi do të monitorohet. Në vazhdim do të jenë industria farmaceutike dhe ajo ushqimore, që do të përpunojnë sasitë e kanabisit, për ta shpërndarë më pas në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Procesi do të fillojë menjëherë dhe pritet të hapë një industri të re në vend, ku përfitimet për ekonominë e brishtë greke llogariten në dhjetëra milionë euro në vit, teksa do të ketë një numër të madh të punësuarish në këtë sektor.