Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ka gjobitur me 1,5 milionë lekë Spitalin Rajonal të Korçës, pasi ka hasur shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe çdo norme mjedisore për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Krahas Spitalit Rajonal të Korçës, me të njëjtën masë gjobe është sanksionuar edhe kompania e licencuar për përpunimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore, pasi ajo kishte patur mbetje të papërpunuara. Nga ana ISHMP është proceduar gjithashtu me kallëzim pranë organeve të drejtësisë për administratorin e kompanisë.

Kreu i ISHMP, Ergys Agasi, shprehet se ISHMP do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj ligjore në sigurimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët shqiptarë, si edhe do të penalizojë me ndëshkime maksimale të gjithë ato institucione, subjekte apo individë pa asnjë tolerancë që do të ushtrojnë aktivitet në kundravajtje me ligjet dhe normat mjedisore dhe vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.