Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku prezantoi në një dëgjesë publike, projektin për rrugën e lumit të Vlorës. Rruga e shumëpritur për të gjithë banorët e Vlorës, është një prej investimeve strategjike me impakt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik e social për të gjithë zonën.
Si të tillë e paraqiti edhe kryeministri Rama kur theksoi se ky projekt mbart një përkushtim dhe seriozitet të madh, siç u ka hije marrëdhënieve me Vlorën. Sigurisht që në fjalën e kreut të qeverisë nuk mund të mungonin batutat për qytetin e vlonjatët: "E di që sado punë të bëjmë ne për Vlorën, vlonjatët nuk do të jenë asnjëherë aq të kënaqur, sa të bien rehat e të mos nxjerrin bishta, se po të mos ishin njerëz që nxirrnin bishta, nuk do të kishin bërë historinë në këtë vend, por ajo që na takon dhe që më takon mua si deputet i Vlorës është që ne t’u qëndrojmë deri në fund të gjitha zotimeve të bëra."
"I kam parë me vëmendje dhe i kam mësuar përmendësh në fakt, zotimet që kam bërë këtu në Vlorë dhe besoj që deri vitin e ardhshëm do të jem në gjendje, bashkë me miqtë, kolegët dhe gjithë ekipin tonë, që të dalim ballëhapur përpara vlonjatëve, jo për faktin që punët në Vlorë mbaruan, por për faktin se çfarë morëm përsipër, treguam se e bëjmë dhe se do të vazhdojmë ta bëjmë me një përkushtim dhe seriozitet të madh, siç u ka hije marrëdhënieve me Vlorën. Sepse nuk ka dalë kot në Vlorë, ajo fjala që thotë: Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala," – ka thënë kryeministri.





