Pas ngjarjes skandaloze që u bë publike një natë më parë, që ka të bëjë me dhunën e ushtruar ndaj fëmijës 3 vjeç e gjysmë në Shtëpinë e Foshnjës në Durrës, ka reaguar dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.
Ministri e vlerëson rastin tepër të rëndë dhe ka urdhëruar marrjen e masave për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe nxjerrjen e gjithë personave përgjegjës. Ai ka urdhëruar gjithashtu dhe largimin nga puna të Drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës, ndërsa kundrejt kujdestares që ka dhunuar foshnjën, thekson se pushimi nga puna dhe ndjekja penale janë vetëm hapat e parë.
“Dhuna e ushtruar ndaj një fëmije në Shtëpinë e Foshnjës Durrës, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijës, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Ligjin e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijës. Sikundër përbën shkelje edhe të Standardeve të Qendrës së Përkujdesit dhe e Kodit të Sjelljes së punonjësit në këto institucione.
Pushimi nga puna nga Bashkia Durrës i punonjëses Dafina Fama që ka shkaktuar dhunën dhe çuarja e saj për ndjekje penale nga policia e prokuroria, janë vetëm hapi i parë drejt zbardhjes së plotë të këtij rasti të rëndë dhe identifikimit të të gjitha përgjegjësive të drejtueses dhe stafit të këtij institucioni”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Ministri Klosi urdhëroi menjëherë ngritjen e një grupi kontrolli, i drejtuar nga Nëndrejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror. Klosi i është drejtuar Bashkisë Durrës, me kërkesën e largimit gjithashtu të drejtoreshës së Shtëpisë së Foshnjës në Durrës, për përgjegjësinë e menaxhimit dhe drejtimit të stafit, si dhe përgjegjësinë për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve.





