Agjencia Kombëtare e Turizmit ka marrë pjesë në takimin e mbajtur në Korçë, me temë “Zhvillimi i Turizmit Rural në Qarkun e Korçës, Elbasanit dhe Beratit”, takim ky i organizuar nga nga Zyra Gjermane e Bashkëpunimit dhe nga Programi Danez i Fqinjësisë, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Drejtori i AKT, Ardit Çollaku, në fjalën e tij vuri theksin në punën e përbashkët që duhet bërë për të nxitur promovimin e ideve të reja dhe kthimin e tyre në projekte konkrete. "Kthimi i turizmit nga sezonal në turizëm gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare për këtë sektor, – tha Çollaku, – dhe nxitja e projekteve pilote për zhvillimin e turizmit në zonat rurale kërkon bashkëpunimin e menjëhershëm që duhet të kenë agjencitë dhe institucionet me njëra-tjetrën për të përgatitur një standart të përbashkët dhe një produkt cilësor."
Gjithashtu, një tjetër bashkëpunim u kërkua edhe me sektorin privat dhe donatorët e huaj në funksion të nxitjes së projekteve të reja dhe brandimit të këtyre zonave, duke shtuar edhe trajnimet e mundshme për operatorët lokale në mënyrë që të rritet cilësia dhe shërbimet në favor të turistëve. Në vijim, drejtori i AKT informoi të pranishmit mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë si “country partner” në panairin e aventurës “CMT”, në Shtutgart, dhe vuri në dukje nevojën e pjesëmarrjes me produkte cilësore dhe konkrete që bashkitë e ndryshme të vendit tonë duhet të prezantojnë në këtë panair sëbashku me Agjencinë Kombëtare të Turizmit.