Deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat miratuan ndryshimet në ligjin për sigurimin e depozitave, duke mundësuar futjen në skemë edhe të bizneseve, tregtarëve apo shoqërive tregtare. Ashtu si për individët, depozitat e bizneseve do të jenë të sigurara në masën 2,5 milionë lekë, në rast të falimentimit të bankës ku janë futur. "Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është përfshirja e depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare si depozita të siguruara, gjë që kërkohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2017," – tha zëvëndësministri i financave Erion Luçi.
Futja në skemën e sigurimit të depozitave të bizneseve rrit me 120 mijë numrin e përfituesve, ndërsa shuma e mbuluar është rreth 30 miliardë lekë. Ndërkohë, për depozitat e shoqërive të kursim-kreditit kërkohet më shumë kohë për t’u futur në skemën e sigurimit dhe është rënë dakord që më parë të bëhet ristrukturimi i krejt sektorit.