Emra të njohur në botën akademike, pedagogë të brendshëm, dekanë e ish-dekanë kanë marrë përsipër të garojnë në zgjedhjet e 20 prillit për të drejtuar gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Pas zbardhjes së emrave që do të kandidojnë për rektorë të UT-së, tashmë është radha e dekanëve, të cilët sot pritet të depozitojnë kërkesën pranë Komisionit Zgjedhor të Fakulteteve përkatëse.

“Panorama” publikon emrat e tyre, por lista nuk është mbyllur ende. Kandidatura të tjera priten të depozitohen gjatë javës në vijim. Paralelisht, ata që tashmë e kanë ndarë mendjen kanë nisur fushatën për të siguruar më tepër vota nga kolegët e tyre pedagogë e studentët në zgjedhjet e pas disa javëve.

Gara më e fortë duket se do të jetë te Histori- Filologjia, ku dy pedagoge prej vitesh në këtë fakultet përballen për kryesimin e tij.

Pedagogia e Historisë, aktualisht zëvendësdekane, Valentina Duka, tenton të marrë postin e Shezai Rrokajt, i cili nuk mund të rikandidojë më, pasi ka ezauruar numrin e mandateve.

Përballë saj është shefja e departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri.