Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të porsambërriturve që pretendojnë statusin e refugjatit në Holandë. Burime nga Ministria e Brendshme e Holandës i thanë radio-televizionit publik NOS se, përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, 480 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil në këtë vend, edhe pse shanset që kërkesa t’i pranohej janë praktikisht zero.
Që prej janarit të vitit të kaluar, vetëm katër të ardhurve nga Shqipëria, e konsideruar vend i sigurt origjine, u është njohur e drejta e azilit, ndërsa 795 të tjerëve u është refuzuar. Ndërkohë, që prej fillimit të këtij muaji, qeveria holandeze i ka përshpejtuar procedurat e menaxhimit të kërkesave nga personat e vendeve të treta të sigurta, me qëllimin që kthimi i tyre mbrapsht të bëhet sa më shpejt. Në janar, Holanda arriti një marrëveshje me autoritetet shqiptare për deportimin në grupe të mëdha të shtetasve të paligjshëm shqiptarë me avionë të posaçëm. Shqiptarëve që pranojnë të kthehen vullnetarisht u jepet një biletë avioni dhe 200 euro. Këtë skemë, brenda tre muajsh, e kanë ndjekur 385 vetë.
Marrë nga televizioni "Top Channel"