Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka reaguar për herë të parë pas marrjes së detyrës së saj të re në Tiranë, duke pasuar në këtë post Silvio Gonzaton.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Moreira de Sousa është prezantuar me publikun shqiptar dhe ka përcjellë mesazhin e saj të parë në nisje të mandatit katërvjeçar në Shqipëri.
Ajo thekson se, së bashku me ekipin e saj në Delegacionin e Bashkimit Europian, do të angazhohet për të mbështetur procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Së bashku me ekipin tim në Delegacionin e Bashkimit Europian, jam këtu për të mbështetur çdo hap të shqiptarëve drejt integrimit në Bashkimin Europian”, deklaron Moreira de Sousa, ndërsa nënvizon gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me vendet anëtare për realizimin e objektivit të përbashkët europian.
Në mesazhin e saj të parë, ajo ka veçuar edhe mikpritjen e shqiptarëve, duke shprehur dëshirën për të udhëtuar në të gjithë vendin.
“Kam dëgjuar shumë për mikpritjen e popullit shqiptar dhe mezi pres të udhëtoj nëpër vend, për ta përjetuar dhe dëshmuar vetë”, u shpreh Sofia Moreira de Sousa, duke e mbyllur videomesazhin me fjalën shqipe: “Mirupafshim!”.
Sofia Moreira de Sousa: Përshëndetje, unë jam Sofia Moreira de Sousa dhe jam Ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri. Është një nder të jem këtu, në një moment kaq të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Së bashku me ekipin tim në Delegacionin e Bashkimit Europian, jam këtu për të mbështetur çdo hap të shqiptarëve drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në koordinim të ngushtë me Shtetet Anëtare, do të angazhohemi me të gjithë partnerët dhe aktorët për të çuar përpara këtë objektiv të përbashkët.
Gjatë katër viteve të ardhshme të misionit tim në këtë vend të bukur dhe mikpritës, mund të mbështeteni në përkushtimin tim të plotë për të ndërtuar së bashku të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Kam dëgjuar shumë për mikpritjen e popullit shqiptar dhe mezi pres të udhëtoj nëpër vend, për ta përjetuar dhe dëshmuar vetë. Mirupafshim!





