Rrjeti SafeJournalists po ndjek zbatimin e rregullave të reja për aksesin e medias në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), të cilat hynë në fuqi më 1 shtator 2026. Gjykata trajton disa nga çështjet më të rëndësishme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe, për këtë arsye, ndiqet rregullisht nga gazetarët që raportojnë për çështje me interes të lartë publik.
Më 7 gusht, Rrjeti SafeJournalists ngriti shqetësime lidhur me disa nga dispozitat e Rregullores së re të Brendshme që prekin median dhe kërkoi rishikimin e tyre përmes konsultimit me gazetarët dhe organizatat e medias.
Përpara hyrjes së Rregullores në fuqi, GJKKO publikoi më 31 gusht një dokument me pyetje dhe përgjigje, i cili ofron sqarime të dobishme për disa nga çështjet e ngritura më parë. Në veçanti, Gjykata konfirmoi se gazetarët e paakredituar mund të ndjekin seancat publike në të njëjtat kushte si publiku, në varësi të vendeve të disponueshme. Gjithashtu, sqaroi se gazetarët e akredituar, në kushte normale, nuk kanë nevojë për autorizim paraprak për të ndjekur seancat publike dhe se procedurat e posaçme për administrimin e aksesit duhet të zbatohen vetëm kur rrethana të tilla si kapaciteti i kufizuar i sallës, kërkesat e sigurisë apo interesi i lartë publik e bëjnë këtë të nevojshme.
SafeJournalists i mirëpret këto sqarime. Megjithatë, mbeten disa çështje lidhur me mënyrën se si sistemi i ri do të ndikojë në praktikë në punën e gazetarëve.
Formulari i akreditimit kërkon të dhëna personale dhe profesionale, përfshirë adresën e banimit të aplikantit, ndërsa gazetarët freelancer duhet të paraqesin prova të veprimtarisë profesionale gazetareske gjatë 12 muajve të fundit. Deklarata shoqëruese konfirmon gjithashtu se gazetarëve, si rregull, u kërkohet të depozitojnë telefonat celularë, kompjuterët portativë dhe pajisjet e tjera elektronike përpara hyrjes në sallën e gjykimit. Këto janë çështje që meritojnë diskutim të mëtejshëm lidhur me domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe kushtet praktike që u nevojiten gazetarëve për të raportuar në mënyrë të shpejtë dhe të saktë.
SafeJournalists inkurajon GJKKO-në të nisë një dialog të strukturuar me gazetarët dhe organizatat e tyre përfaqësuese gjatë kësaj periudhe fillestare të zbatimit dhe të dakordësojë një rishikim të hershëm të rregullave që lidhen me median pas muajit të parë. Ky rishikim duhet të marrë në konsideratë përvojën konkrete si të gazetarëve, ashtu edhe të stafit të Gjykatës, veçanërisht sa u përket kërkesave për akreditim, përdorimit të pajisjeve elektronike të zakonshme të punës dhe komunikimit me median, me synim bërjen e rregullimeve proporcionale aty ku rezultojnë të nevojshme.
Rrjeti mbetet i gatshëm të kontribuojë në mënyrë konstruktive në këtë dialog dhe do të vijojë të ndjekë zbatimin e Rregullores.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje dhe do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e Rregullores.





