Mijëra vetë kanë marshuar dje në Serbi kundër NATO dhe Perëndimit, duke bartur mbishkrime ku lavdërohej presidenti rus Vladimir Putin. Me këtë marshim është shënuar 17 vjetori i fushatës së bombardimeve 78 ditëshe të NATO, për shkak të goditjes së përgjakshme kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, raporton Associated Press nga Beogradi.
Masa e ndërlidhur me grupet e së djathtës ekstreme ka bartur mbishkrime pro-ruse dhe ka brohoritur kundër anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Liderët aktualë të Serbisë, dikur me qëndrim të ashpër kundër Perëndimit, kanë thënë se dëshirojnë t’i bashkohen BE, por që ushtarakisht Serbia të mbetet neutrale.
Forcat pro-ruse në Serbi duket se po përfitojnë para zgjedhjeve të përgjithshme më 24 prill, që mund të vendosin se në cilin drejtim do lëvizë Serbia: kah Rusia ose BE. Serbia ka lidhje tradicionale me aleatin e vet sllav, Rusinë, që e ka shtuar fushatën propaganduese para zgjedhjeve, raporton Associated Press.