Nga Mero Baze
Ditët e fundit janë shtuar disa zëra kritikë nga mbështetësit e Bashës, kundër Berishës, të cilin po e akuzojnë se po i prish imazhin Lulzim Bashës pas ardhjes nga SHBA dhe po tenton t’ia zhvlerësojë mbështetjen që amerikanët po përpiqen t'i japin për t’u bërë kryetar i PD, i pavarur nga Berisha.
Në një shkrim racional në këtë pikë, Alfred Lela në gazetën “Mapo”, gjente rastin ndërkohë të kritikonte dhe idetë revolucionare të Berishës, për përmbysje pushteti me revolucion demokratik, terminologji e vitit 1997.
Në të vërtetë, vizita e Lulzim Bashës në Uashington kishte një problem serioz në raport me Berishën, jo aq se Basha do t’u jepte fjalën atyre për reformën në drejtësi, por për faktin se ata filluan ta konsiderojnë Bashën dhe ta mbështesin për akte politike, që bien në kundërshtim me atë që kërkon Berisha. I vetmi takim me vlerë në Uashington, ishte ai me zonjën Nuland, dhe aty u pa qartë, se ajo e donte Bashën vetëm për vetëm në takim, pa njerëzit e tjerë, që mund ta vinin në siklet para Berishës.
Pas kthimit në Tiranë, është e vërtetë që Berisha e asgjësoi vlerën e gjithë vizitës. Ai shmangu çdo qëndrim të ri të Bashës pas kthimit nga Uashingtoni dhe ia bëri atij fakt të kryer një qëndrim radikal kundër reformës.
Por, a mund të thuhet se kjo po i prish “avenirin” Bashës?
Jo. E gjithë ajo që ka ndodhur pas kthimit të Bashës nga Uashingtoni, tregon se Basha nuk e meriton ndihmën për t’u pavarësuar nga Berisha. Ideja që ai u ushqen njerëzve të vet në biseda private, se do të bëjë politikë ndryshe, se do jetë i hapur dhe modern, se do të ndryshojë raportet e PD-së me shoqërinë dhe do heqë dorë nga rrugët populiste të së majtës ekstreme për të marrë pushtetin, në të vërtetë janë thjeshtë probleme të tij psikologjike. Nuk janë as teza, as qëndrime dhe as akte politike.
Ne nuk mund të akuzojmë tani Berishën, pse nuk e lë Bashën të bëhet i pavarur, ndërkohë që Basha nuk ka bërë asnjë gjest real kundër politikave që dikton Berisha. Bile dhe tek beteja e tij kundër Veliajt tek Liqeni, ai po dëmton kauzën e një grupi radikal të majtë, ish- bashkëpunëtorë të Veliajt dikur tek “Mjafti”, dhe po merr kauzën e tyre duke prishur gardhe e duke bërë sherr me betoniere, për t’u dukur opozitar.
Fjalori politik i Bashës është më i pakuptimtë se kurrë, më i pazbërthyeshëm dhe më qesharak se çdokush tjetër në historinë e këtij vendi. Ai thotë gjëra që po t’i thuash në një moment “stop, ma përsërit çfarë the”, nuk di të të japë shpjegim. Fatmir Mediu ka pas fol kështu për herë të fundit më 1996. Basha thotë që takova zyrtarë të lartë në Uashington dhe kur më pyetën për Edi Ramën, u thashë që ai “është një vegël e kriminelëve dhe terrorist”. Pas kësaj, Ramën e ftojnë në Shtëpinë e Bardhë. Tani si i bie të themi, që sapo u tha Basha që Rama është terrorist, e ftuan në Shtëpi të Bardhë, ngaqë amerikanët janë terroristë, siç thotë Kastro? Ai vjen këtu dhe nuk di si të justifikojë faktin që nuk voton dot reformën në drejtësi, dhe thotë fjali pa kuptim të tipit, “ne do ta votojmë reformën edhe pa Ramën”, ndërkohë që reforma do 94 vota, se po të ishte që “miratohej vetëm”, i ka Rama 89 vota.
Për këto, Berisha nuk i ka faj Lulzim Bashës. Berisha mund të kryqëzohej nëse Basha dilte e thoshte se PD-ja do votojë reformën në drejtësi, por nuk ka konsesus të plotë për këtë. Kjo do ta justifikonte dhe do ishte për t’iu qarë halli. Por mungesa e personalitetit të tij, gjuha e drunjtë që përdor, për t’u dukur sa më budalla, që të mos kuptohet se çfarë mendon, e bëjnë atë një politikan që është i dështuar me merita të vetat.
Berisha nuk ka ndryshuar qëndrim asnjëherë. Ai ka qenë kundër reformës që në fillim dhe vazhdon të jetë kundër saj. Problemi i Bashës është që merr Oerdin dhe Halimin me vete, u thotë do miratojmë reformën, por thojuni atyre të huajve, që s’ka ç’i bën Berishës dhe pastaj futet mes dy zjarresh, duke u bërë qesharak. Ai e ka shtyrë tre vjet në krye të PD me këtë stil, duke folur nën zë dhe me shenja, që s’ka çfarë i bën “Atij”, dhe duke folur publikisht në një version qesharak të Berishës. Problemi i tij është se tani duhet të thotë “Po” ose “Jo” në parlament, aty ku votohet. Dhe nuk mund ta bëjë si personazhi i filmit “Lulëkuqe mbi mure” që pyetjes “Po” apo “Jo” para pëllëmbës se kujdestarit, i përgjigjet “Po, jo zoti kujdestar!”
Marrë nga “Tema”