Dënimi me 40 vjet burg për gjenocid i ish-kryetarit të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Radovan Karaxhiq, ka bërë që Ministria e Jashtme e Rusisë të reagojë dhe ta quan Tribunalin e Hagës për krime lufte në Jugosllavi, si vend për hakmarrje dhe larje hesapesh të vjetra.

Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar se ky vendim është ndër të ashprit që ka dalë nga Tribunali i Hagës, duke thënë se është i njëanshëm, pasi atributet për përgjegjësinë e luftës civile në Jugosllavi u janë dhënë serbëve.

“Megjithatë, ne tashmë mund ta vëmë në dukje se kjo është në një seri të dënimeve të jashtëzakonshme nga Tribunali i Hagës kundër serbëve në mes të atyre pjesëmarrësve tjerë që janë liruar nga akuzat për luftë civile në ish-Jugosllavi, si gjenerali kroat Ante Gotovina, shqiptari i Kosovës Ramush Haradinaj dhe komandanti i boshnjakëve tokësor, Naser Oriq”, shkruhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Karaxhiq në të përditshmen serbe “Kurir” ka thënë se do ta apelojë vendimin e Tribunalit të Hagës.