Motra e Nazime Vishës, e cila është pjesë e familjes Muça pasi është e martuar me vëllanë e viktimës Fiqiri Muça, thotë se nuk ka për ta falur kurrë Nazimen.
Ajo jeton përballë shtëpisë ku e veja e Fiqiriut rrit fëmijët e vetme. Që prej ngjarjes, Lutfia ka marrë vendimin për të mos folur në telefon as me prindërit e saj dhe as me të motrën, ndoshta për të ruajtur familjen e saj.
“Më ka shkatërruar jetën! E vraftë Zoti! E bëftë zoti copa”, thotë motra e Nazimes.
“Nuk flas! Nuk e marr ne telefon dhe nuk e kam takuar as në burg”, thotë Lutfia.
Veç motrës, dekretin e faljes së Nazimes e ka pritur me pakënaqësi të madhe veçanërisht bashkëshortja e Fiqiri Muçës.
“Ajo është një kriminele! Është një vrasëse. Po e pashë do ta vras”, thotë ajo.
Bashkëshortja e Fiqiriut thotë se Nazimja manipuloi gjykatat dhe opinionin me pamjen e të pafajshmes dhe se ka mashtruar, kur pretendoi se ishte abuzuar seksualisht. Për të, Fiqiri Muça ka bërë vetëm një gabim, që është tradhtia, madje gruaja kujton një rast kur ajo vetë kishte folur në telefon me Nazimen.
“Fola njëherë dhe i thashë kush je ti që shkon me babanë e pesë fëmijëve? I kishte thënë tim shoqi. Ai nuk më rrahu, por e mori vesh që unë e dija”, rrëfen ajo.