Në arkivën e imazheve të disa viteve më parë, ku Shkodra dhe rrethinat e saj u përmbytën 5 herë rresht brenda dy muajve njëri pas tjetrit është edhe një fotografi që tregon dy banorë të zonës, në dukje mospërfillës ndaj katastrofës ujore, që i kishte rrethuar, vijonin të qetë peshkimin mbi urën e lumit Bunë.
Ata dukeshin të pajtuar me fatin që të tjerët iu kishin parashkruar se herë merrnin vendime për të hapur portat e HEC-eve në lumin Drin dhe nuk kishin çfarë të bënin tjetër veçse të prisnin derisa ujërat largoheshin vetë. E deri sa kjo të ndodhte ata, do të vijonin ritualin e zakonshëm të peshkimit që i ushqen ata dhe familjet e tyre, e duke plotësuar kështu edhe një nga nevojat bazë njerëzore, nevojën për të jetuar.
Atëherë kjo fotografi ishte groteske, sot është tragjike, sepse shumë ujëra kanë rrjedhur dhe asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën sesi shoqëria jonë e shikon fatin dhe anomalitë e saj. Nëse dikur nuk i pamë, sot i kemi më të qarta shenjat paralajmëruese që kjo fotografi ka. Atëherë anormale u duk peshkimi, dhe jo përmbytja, anormalë ishin peshkatarët dhe jo ata që shkaktuan përmbytjen, atëherë e zorshme ishte të qaje dhe jo të qeshje.
Këto janë shenjat që kishte kjo fotografi që anormalja është normale në këtë vend tanimë dhe ajo që duket të jetë e zakonshme është bërë e jashtëzakonshme. Në fotografinë e peshkatarëve ishte i çuditshëm fakti që ata peshkonin për të ushqyer familjen, dhe jo fakti që uji kishte mbërritur deri sipër urë.
Edhe sot në Shqipëri kështu është bërë. Është gjest normal të zësh parkingun me karrige lokalesh buzë rrugës e të duhet të paguash, dhe e çuditshme që mund të gjendet parking pa pagesë. Është bërë normale të rritësh taksa dhe detyrohesh të paguash ato dhe e çuditshme që mund të reagosh.
Është bërë normale të kesh borxh të lartë dhe e çuditshme, madje e jashtëzakonshme ta ulësh atë. Është bërë normale që një gjyq të zgjasë me vite pa mbaruar dhe fare e çuditshme që ai të mbarojë brenda afateve ligjore. Anormaliteti është kthyer në normë dhe irracionalja në racionale. Sepse ka kohë që ky vend mbushet e tejmbushet me fjalë të mëdha, reforma të mëdha, çështje të mëdha, aq sa duket ritual i çuditshëm që një qytetar të përgatitet në mëngjes se do të shkojë në punë, që në një fushë një autokombajnë mund të korrë sipërfaqe të mbjellë, që ambulantët mund të shesin në tregje të sistemuara dhe jo në rrugë.
Sot është normë të punësohesh nga partia dhe jo nga merita. Sot është normë korrupsioni dhe jo shërbimi ndaj qytetarit, sot normaliteti është bërë mall i çmuar e gjendet rrallë, ndaj në këtë vend po na duket normale anormalja dhe e jashtëzakonshme e zakonshmja. Ky këmbim vendesh mes normales dhe jo normales, mes të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes, është tashmë një mënyrë jetese.
Ndaj mediat sot kanë rënë në krizën e qytetarit, nuk ke se çfarë të gjesh në to, sepse ashtu si tek fotografia e dy peshkatarëve shkodranë, pamë si të jashtëzakonshme e anormale faktin që ata peshkonin dhe jo faktin që përmbytja ishte aq e madhe sa po u kërcënonte atyre edhe bukën e gojës.
Mirëpo çmenduritë mund t’i kuptojnë vetëm të mençurit dhe gjërat normale i kërkojnë njerëzit normalë. Shqiptarët e kuptojnë këtë, po ashtu si ata dy peshkatarët, ata janë të mpirë “mendërisht” e fizikisht sa nuk gjen forcë të reagojnë. Por pajtimi kaq lehtësisht me të keqen, është fataliteti ynë dhe në fakt, kriza jonë. Është kriza e të qenët një vend normal.
/monitor/