Të gjithë maturantët, të cilët për provimet me zgjedhje të Maturën Shtetërore 2016 kanë zgjedhur gjuhën e huaj Anglisht, informohen se këtë vit do t’i nënshtrohen provimit TOEFL Junior Standard Test, në nivelin B2, sipas Kuadrit të Përbashkët Evropian për Gjuhët (CEFR). Testi i provimit me zgjedhje të gjuhës së huaj Anglisht, “TOEFL Junior Standard Test”, do të hartohet dhe do të vlerësohet nga ETS Global. Provimi do të zhvillohet me datë 24 qershor 2016 dhe zgjat 1 orë e 55 minuta. Provimi me zgjedhje i gjuhës angleze do të fillojë në orën 13:30.
Mundësitë
Maturantët që do të japin dy lëndë me zgjedhje dhe njëra është gjuhë angleze do të paraqiten ditën e provimit në orën 11.30 për të dhënë njërin provim dhe në orën 13.30 për të dhënë provimin e gjuhës angleze. Maturantët që do të japin provim me zgjedhje vetëm gjuhën angleze do të paraqiten ditën e provimit në orën 13.30.
Struktura e Testit
Testi TOEFL Junior Standard zhvillohet me shkrim. Ai përmban 126 pyetje me alternativa dhe zgjat 1 orë e 55 minuta. Testi përbëhet nga tri pjesë: pjesa e parë Dëgjimi, pjesa e dytë Gramatika dhe Fjalori, pjesa e tretë Leximi. Secila pjesë përmban nga 42 pyetje. Pjesa e parë zgjat 40 minuta, pjesa e dytë 25 minuta dhe pjesa e tretë 50 minuta. Testi përmban disa pyetje të cilat mund të mos vlerësohen me pikë, ndërsa pyetjet e tjera vlerësohen me pikë të barabarta.
Përmbajtja e Testit
Pjesa e Dëgjimit mat aftësitë e të dëgjuarit dhe të kuptuarit e nxënësve në gjuhën angleze që lidhen me marrëdhëniet shoqërore, kërkimore dhe akademike. Pjesa e Gramatikës dhe Fjalorit mat aftësitë dhe njohuritë e nxënësve përsa i përket gramatikës dhe fjalorit. Pjesa e Leximit mat aftësitë e të lexuarit dhe të kuptuarit të teksteve akademike dhe jo akademike.
Çfarë duhet të keni në vëmendje
Secila nga pjesët e testit ka një kohëzgjatje të caktuar. Administratori i Testit do t’ju tregojë kohën se kur fillon dhe mbaron secila pjesë. Gjatë secilës pjesë duhet të punoni vetëm me pyetjet e saj dhe të mos kaloni në pjesë të tjera. Në rast se nuk i përmbaheni këtij rregulli, mund të dyshoheni për kopjim. Gjatë zhvillimit të provimit duhet të punoni shpejt, por me kujdes.
Nuk duhet të shpenzoni shumë kohë në një pyetje, por mundohuni që t’ju përgjigjeni të gjitha pyetjeve. Disa pyetje janë më të vështira se të tjerat. Rezultati është në bazë të numrit të përgjigjeve të sakta që keni dhënë. Duhet t’u përgjigjeni, të gjitha pyetjeve, madje edhe duke hamendësuar, sepse kjo është në favorin tuaj.
Procedurat e testimit
Provimi do t’i nënshtrohet të gjitha rregullave që parashikohen në Rregulloren e Maturës Shtetërore. Përveç këtyre rregullave maturantët/kandidatët do t’i nënshtrohen edhe rregullave të tjera të parashikuara për zhvillimin e këtij testimi nga ETS Global. Vendosja nëpër vende do të bëhet nga administratori i testimit, i cili është përfaqësues i ETS Global dhe nuk lejohet ndryshimi i vendit.
Të gjithë maturantët/kandidatët do të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim. Maturanti/kandidati duhet të ketë me vete për zhvillimin e provimit vetëm laps HB dhe gomë. Në mjediset e provimit do të vendoset një orë e madhe për t’iu ardhur në ndihmë në llogaritjen e kohës dhe letër për shënime, vetëm për pjesën e dëgjimit.
Gjatë zhvillimit të provimit asnjë maturant nuk do të lejohet:
Të japë apo të marrë çdo lloj ndihme.
Të shqetësojë maturantët/kandidatët e tjerë.
Të shikojë testin përpara fillimit të testimit.
Të shikojë në pjesët e tjera të testit përpara se të udhëzoheni nga ana e administratorit të testimit.
Të grisë apo të heqë faqe të testit.
Të marrë me vete shënimet e bëra në mjedisin e provimit.
Të punojë me testin më shumë se koha e lejuar ose të refuzojë të zbatojë rregullat e zhvillimit të provimit.
Marrë nga “Shqiptarja.com”