Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka nisur nga puna për masat e sezonit turistik veror. Ministrja Milva Ekonomi është takuar me krerë dhe përfaqësues të bashkive bregdetare, ku në thelb ka qënë plotësimi i akteve nënligjore për ligjin për turizmin. Sipas ministres Ekonomi, tani është momenti i një organizimi të detajuar në lidhje me planin e masave për sezonin turistik veror duke nisur së pari nga pastrimi i mbetjeve urbane, dezinfektimi i insekteve, garantimi i jetës së pushuesve, lufta ndaj informalitetit e deri tek marrja e masave serioze në lidhje me statistikat dhe materialet promovuese të turizmit.
Pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të ngrihet një njësi, e cila do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me njësitë e qeverisjes vendore për të monitoruar dhe njëkohësisht mbështetur këto të fundit në lidhje me çdo problematikë që mund të ketë sezoni turistik dhe jo vetëm.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin drejtues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit, të cilët ofruan tezat e tyre ndihmuese në lidhje me problematikën që has sezoni i ri turistik në vend dhe diskutuan problematikat që sollën njësitë vendore.