Nga Shpëtim Kodra

Pushoi së rrahuri zemra e një njeriu të dashur, të sinqertë, optimist, të veçantë e të talentuar. Modestia ish tipari i tij themelor. Përjetoi vitet e fundit dramën e vuajtjeve të një sëmundjeje të rëndë pa kthim e pa shërim, edhe pse u mbajt me shpresë e besim, edhe pse shërbimi iu krye deri në fund. Jeta për cilindo ka një cak. Toka nuk i përket askujt. Ne i përkasim tokës. E rëndësishme është të lesh gjurmë pas. Edhe Hyseni (Ceni) rrezatoi dinjitet, urtësi, respekt, mirësjellje e mirëkuptim.

Këto virtyte e ngrenë mbi vdekjen dhe  bëjnë të ndjehen krenarë fëmijët, bashkëshortja, motrat, vëllezërit, të afërmit, miqtë. Krenarë ndjehemi edhe ne shokët e tij që ruajmë kujtimet më të bukura e më të paharruara për të.

Njeri me kulturë e talent që lexonte shumë e fliste pak. I përkushtuar e i aftë në shkencat e natyrës, si nxënës e si mësues, Ceni nuk ishte aspak intelektual i njëanshëm. Kish një shpirt të ndjeshëm artistik. E perceptonte të bukurën në jetë e në natyrë dhe e modelonte në mënyrë kristaline në pikturat e tij ku shfaqej ndjenja, mendimi i tij. Para pak ditësh, në galerinë "Nikolet Vasia", ndër krijimet e ish-nxënësve të profesor Sabri Tuçit, ishin dhe ato të Cenit.

Humori e gjallëronte, e relaksonte. Në qenien e tij jetonte krenaria e njeriut të ndershëm, të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm si mësues dhe edukator. Sa herë do të përmendet emri i tij, do të jetë i pranishëm edhe shpirti i tij.

Ai jeton e do të jetojë në mendjen e në shpirtin tonë. Zoti ia dhuroi jetën, Zoti e mori pranë. I përjetshëm kujtimi i tij.