Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka firmosur dekretin për faljen e dënimit të Nazime Vishes. Dekreti për faljen është firmosur pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani dhe hyn në fuqi menjëherë, pra Nazime Visha pritet të lirohet që ditën e sotme.
Nazime Visha ishte dënuar me 10 vite burg për vrasjen e përdhunuesit të saj, Fiqiri Muçës, dhe deri më tani kishte kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë, duke i mbetur kështu për të kryer dhe dënimi prej 3 vitesh e 9 muajsh e 21 ditësh burg.
Në arsyetimin e tij, Nishani shprehet se falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues.
"Te kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen", thuhet në arsyetimin e dekretit.
Rasti i saj ka sensibilizuar mbarë opinionin publik dhe gjithashtu njerëz të artit, politikës dhe drejtësisë.





