Pak ditë më parë trenat ndalen së lëvizuri për shkak të mungesës së karburantit. Hekurudhat Shqiptare nuk ishin në gjendje të paguanin faturat, por kjo gjë u zgjidh, ndërsa kriza në transportin hekurudhor vazhdon.
"Jemi vërtetë në sitautë të vështirë për faktin se ka rënë transporti i mallit dhe disa kompani që janë të rëndësishme, që ne kishim lidhjet tona, siç ishte Kurum, tani e dimë që është drejt falimentit," – tha Genc Alizoti, drejtor i përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare.
Një dritë shprese vjen nga bashkëpunimi me Autoritetin Portual të Durrësit për vënien në funksionim të një linje në terminalin e kontenierëve, si dhe miratimi nga BERZH për investimin në linjën Tiranë – Durrës – Rinas. "Është hera e parë që Shqipëria, pas viteve ’90, ka një projekt ndërtimi në dorë," – vijon Alizoti.
E subvencionuar nga shteti, humbjet në Hekurudhat Shqiptare janë të mëdha. Këtë vit, fondi i qeverisë është rritur me 10%. Aktualisht funksionojnë vetëm katër linja të udhëtareve, ato nga Durrësi në drejtim të Shkodrës, Kasharit, Vlorës dhe Librazhdit. Udhëtaret e pakët zgjedhin trenin për shkak të biletës. Rrjeti hekurudhor shqiptar ka 447 km linjë kryesore, mirëmbajtja e së cilës kërkon investime të mëdha.
Marrë nga televizioni "Top Channel"