Prezenca e OSBE në Shqipëri nisi sot një sërë seminaresh për Policinë e Kufirit dhe Migracionit me synim rritjen e kapaciteteve të saj për t'iu përgjigjur më mirë sfidave të migracionit të parregullt, veçanërisht në kuadër të fluksit të shtuar të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor.

I pari i këtyre seminareve, të cilat organizohen në partneritet të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Kufirit dhe Migracionit, u zhvillua në Korçë, ku rreth 20 punonjës të Policisë Kufitare dhe të Migracionit u trajnuan për masat që duhen marrë për t’iu përgjigjur situatës.

Temat e seminarit u bazuan në prirjet e identifikuara nga Frontex dhe Europol dhe përfshinë itineraret, përzgjedhjen e emigrantëve, profilizimin e luftëtarëve të mundshëm terroristë dhe zbulimin e veprave penale. Seminari u drejtua nga ekspertë të Njësisë Kombëtare Shqiptare të Europolit dhe të Policisë së Kufirit dhe Migracionit.

Prezenca e OSBE, së bashku me partnerët e saj shqiptarë, do të organizojë seminare të ngjashme, gjatë ditëve në vijim, me policinë e kufirit dhe migracionit në Gjirokastër dhe Shkodër.