Pas sulmeve terroriste që ndodhën në Bruksel, portet e Shqipërisë, i Durrësit, Shën Gjinit, Vlorës, Sarandës, “Romano Port” Durrës, “Petrolifera” Vlorë, kanë marrë masa të forta sigurie.
Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto ka urdhëruar “Autoritetin Shtetëror për Sigurinë në Porte”, për testimin e nivelit të sigurisë në portet e vendit, për të parë reagimin në kohë të forcave të sigurisë dhe për të parandaluar ngjarje që cenojnë sigurinë.
Ndër masat që kanë filluar të aplikohen, janë shtimi i kontrolleve të hyrje-daljeve të individëve të ndryshëm dhe kontrolle të imtësishme të mjeteve dhe të pasagjerëve.
Ministria e Transportit u bën thirrje qytetarëve dhe operatorëve portuale private, që të bashkëpunojnë me autoritetet.
Ndërkohë, “AShSP” po monitoron dhe kontrollon zbatimin e masave për administrimin specifik nga portet.





