Instituti i Statistikave konstaton se konsumi i energjisë elektrike gjatë vitit 2015 ka pësuar një rritje vjetore minimale prej vetëm 1.2%, ndryshe nga rritjet dyshifrore të vitet e mëparshme. Arsyeja kryesore është çmimi i ri i energjisë dhe heqja e fashës, që i bën qytetarët të kujdesshëm në përdorimin e energjisë. INSTAT konstaton gjithashtu rritje të prodhimit vendas, kryesisht si ndikim i prodhuesve privatë dhe koncesionarë të energjisë.
Çmimi i ri i energjisë elektrike dhe heqja e fashës 300 kilovat orë i ka bërë qytetarët të kujdesshëm me përdorimin e energjisë elektrike. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2015, konsumi i energjisë në shkallë vendi u rrit me vetëm 1,2 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Konsumatorët familjarë e kanë rritur konsumin me vetëm 0.8%, ndërsa bizneset me 1,5 për qind. Në këtë drejtim kanë ndikuar edhe uljet e humbjeve në rrjet, kryesisht ato joteknike, ose ndryshe vjedhjet e energjisë. Sipas INSTAT, humbjet në rrjetin e shpërndarjes, prej nga ku furnizohen me energji qytetarët kanë rënë me 22,3 për qind gjatë 2015, krahasur me vitin e kaluar.
INSTAT konstaton se prodhimi i energjisë është rritur, si pasojë edhe e shtimit të ndikimit të hidrocentraleve private. Sipas të dhënave, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike vitin e kaluar arriti në 5.866 Gwh, duke patur një rritje prej 24,1 për qind kundrejt 2014. 75,9 për qind e prodhimit të energjisë është mundësuar nga hidrocentralet dhe 24,1 për qind nga prodhuesit e pavarur privatë dhe koncesionarë. Rritja e prodhimit të energjisë ka ndikuar në rënien e importeve dhe rritjen e eksporteve, duke bërë që 2015 të jetë një vit përgjithsisht pozitiv për bilancin energjetik te vendit.