120 familje të një pallati në Lagjen 9, në Durrës, i cili gjendet në zonën prapa Poliklinikës së Specialiteteve, që prej vitit 2002 nuk kanë mundësi të regjistrojnë pronën e tyre pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Durrës. Shkak është bërë një konflikt i hapur ndër vite midis një prej pronarëve të truallit me subjektin ndërtues, duke sjellë kështu edhe pasoja për banorët dhe biznesin.
Sot, përmbaruesit gjyqësorë, të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit, kanë shkuar dhe kanë zbatuar me forcë një titull ekzekutiv, duke hapur me forcë qepenin e një dyqani në të cilin pretendohej pronësia e një pjese të sipërfaqes së tij.
Sipas banorëve të pallatit dhe përfaqësuesve të subjektit ndërtues, kunata e presidentit Bujar Nishani, e quajtur Teuta Nishani, është ajo që pretendon një pronësi në këtë pallat. Madje, banorët dhe përfaqësuesit e subjektit ndërtues thonë se pretendimi i saj mbështetet mbi dokumenta false.
Me titullin ekzekutiv në dorë, përmbaruesit gjyqësor janë përplasur sot me pronarin dyqanit, ku kërjon pjesën e saj zonja në fjalë.
Ndërkohë, Aranit Roshi, përfaqësuesi ligjor i subjektit ndërtues të pallatit, në një prononcim për mediat, denoncoi shkelet ligjore që janë bërë nga pronarja pretendente e truallit.





