Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesat për mbajtjen e një referendumi vendor për ndërtimin e një parkimi nëntokësor tek Parku Rinia dhe për ndërtimet tek Liqeni Artificial, në Tiranë. Partia Demokratike është përplasur sot në KQZ për të mbrojtur të drejtën e mbajtjes së referendumeve në Tiranë kundër vendimeve të marra nga Këshilli Bashkiak. Përplasja dhe peripecitë që nuk po mbarojnë kanë ndodhur sepse "qeveria nuk pranon në asnjë mënyrë të drejtën e qytetarëve për referendum vendor."
Kreu i grupit nismëtar, Jamarbër Malltezi, njoftoi paradite se ndodhej "në KQZ, duke debatuar për kërkesën për referendum vendor." "Qeveria nuk pranon në asnjë mënyrë të drejtën e qytetarëve për referendum vendor. Po e bëjmë kërkesë për çështje. Do të shohim në do ta pranojë apo jo qeveria. Nëse jo, do të bashkëpunojmë me çdo qytetar dhe të sjellim dhjetëra kërkesa për referendume vendore për këto tri çështje me formulimet sipas të gjithë varianteve të mundshme. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës janë bërë qesharake deri në dhimbje," – përfundon Malltezi.
KQZ, në mbledhjen e së hënës, e shtyu për sot, të mërkurën, shqyrtimin e kërkesës së PD për zhvillimin e tri referendumeve në Tiranë, dhe konkretisht për tri vendime të diskutueshme të marra nga kryebashkiaku Erion Veliaj me mazhorancën. Shtyrja u argumentua me mungesën e këshilltarëve bashkiakë, që duhet të ishin në mbledhje si palë, krahas grupit nismëtar të demokratëve.
Sot, KQZ ka rrëzuar dy kërkesa për referendume, për referendumin për ndërtimet në hyrjen e Liqenit Artificial dhe atë për parkimin nëntokësor tek Parku "Rinia". Anëtarët e djathtë në KQZ ishin pro mbajtjes së referendumit. Por, pas votimit të parë që rrëzoi kërkesën e artikukuar nga Jamarbër Mallezi, kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, ata e kanë braktisur mbledhjen. Kurse anëtarët e tjerë të KQZ i kanë vlerësuar antikushtetuese kërkesat, pasi, sipas tyre, referendumi mund të mbahet mbi një çështje të caktuar, por jo mbi vendime që janë marrë, siç në këto raste ka vendosur Këshilli Bashkiak i Tiranës.





