Qeveria shqiptare e ka përsëritur më shumë se njëherë, se gjatë vitit të kaluar të ardhurat në buxhet dhe sidomos ato në dogana nuk u rriten për shkak të çmimeve të ulëta të mallrave kryesore të importit. Arsyetimi ishte se, kompanitë duke raportuar çmime më të ulëta në dogana kanë paguar më pak TVSH.

Por në fakt kur të gjithë ne kemi parë se, çmimet e importit për mallrat kryesore, naftë, energji dhe ushqimet kryesore kanë qenë në nivelet më të ulëta historike të dekadës, Banka e Shqipërisë raportoi se treguesi i “Çmimeve të huaja” u rrit me 3.7% në terma vjetorë më 2015-n, duke mbajtur të njëjtin ritëm me atë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë sqaron se ndryshe nga zhvillimet e vitit 2014, nënçmimi i monedhës vendase sidomos ndaj dollarit shtoi praninë e presioneve të huaja inflacioniste në vend, veçanërisht në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Rritja e vlerës së dollarit bëri që importuesit të harxhojnë më shumë para për të blerë valutën e amerikane për rrjedhojë kjo ka bërë që për të njëjtën sasi, bizneset të paguajnë më shumë në lekë, vetëm nga zhvlerësimi i monedhës.

Një nga ish-drejtuesit e doganave ka pohuar për “Monitor” se, tregtia e jashtme e Shqipërisë bëhet gati 60 % me valutën amerikane.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar euro/lek rezultoi 139.7 për vitin 2015, duke qenë disi më poshtë vlerës mesatare të vitit të kaluar.
Në raport me dollarin amerikan, leku ka vijuar të nënçmohet përgjatë gjithë vitit (19.4% në terma vjetorë), në linjë me dinamikat e kursit euro/usd në tregjet e huaja.

Kështu, të gjithë tregtarët që kanë zhdoganuar me çmimet importi në dollarë kanë paguar faturat në lekë të paktën 19 për qind më shumë se, në vitin 2014.

/Monitor